Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), Christopher Wray deklaroi se kontrolli i platformës së medias sociale TikTok ndodhet në duart e Qeverisë së Kinës dhe se kjo përbën shqetësim për sigurinë kombëtare në SHBA.
Wray mori pjesë në një panel në Universitetin e Michigan-it ku tha se qeveria kineze manipulon përmbajtjet mbi median sociale, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai theksoi se Kina mund t’i përdorë për spiunazh të dhënat që mbledh përmes TikTok-ut. “Të gjitha të dhënat ndodhen në dorën e një qeverie e cila nuk ndan me ne vlerat e përbashkëta. Kjo qeveri nuk u shërben interesave të SHBA-së. Kjo duhet të krijojë shqetësim”, tha Wray.
FBI-ja më parë ka potencuar shumë herë se të dhënat e mbledhura përmes TikTok-ut mund të përdoren me “qëllim të keq” nga ana e Qeverisë së Kinës.
Shefja e operacioneve të TikTok-ut, Vanessa Pappas në një seancë në Senatin Amerikan në shtator ka thënë se Qeveria e Kinës nuk ka asnjë qasje në të dhënat e aplikacionit./FolDrejt/