Prokuroria Speciale e Prishtinës ka bërë me dije se është ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të nacionalitetit serb, Z.A., nën dyshimet se ka kryer krime lufte, transmeton Fol Drejt.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëpunim edhe me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, kishte ndaluar “në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M. duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet, si dhe, duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”.
“Po ashtu, i pandehuri Z.A. në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë.