Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Z. Murati dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos Z. Osmani nënshkruan sot tri marrëveshje për ndërtimin e ngrohtores diellore në Prishtinë. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent edhe Ambasadori Gjerman në Kosovë Z. Rohde, Drejtori në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Z. Maslichenko, Shefi për Bashkëpunim në Zyren e BE – së në Kosovë Z. Madsen, Kryetari i Komunës së Prishtinës Z. Rama dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës Termokos.
Ndërtimi i ngrohtores diellore e cila do t’i shërbejë qytetarëve të Prishtinës është bërë e mundur përmes marrëveshjes me BERZH me vlerë 23.2 milionë euro, nga KfW 31.6 milionë euro, nga BE grant 21.5 milionë euro dhe Kontributi nga Qeveria 4.4 milionë euro. Ky projekt parasheh ndërtimin e e nje impianti te ngrohjes solare në Prishtinë ku përmes saj do të zgjerohen kapacitetet e prodhimit të energjisë termike te Termokosit deri në 50 MW. Pra, 38 mijë qytetarë që aktualisht nuk janë pjesë e rrjetit të ngrohjes do të fillojnë të kenë qasje në shërbimet e Termokosit pas perfundimit të projektit.
Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit Ministri Murati shprehu se “ ngrohtorja e cila do të ndërtohet është investimi më i madh në rajon sa i përket prodhimit të energjisë termike nga energjia diellore. Ky projekt mundëson që më shumë qytetarë të kenë ngrohje në shtëpitë e tyre me çmim më të volitshëm dhe në të njëjtën kohë ndikon në përmirësimin e cilësisë së ajrit ”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë falënderoi Ministrin Murati për bashkëpunimin e deritanishëm duke shprehur se “ngrohtorja diellore e qytetit ofron kapacitet të shtuar të ngrohjes dhe se ndërtimi i ngrohtores bëhet pikërisht në një kohë vendimtare për tranzicionin e gjelbër energjetik në Kosovë”.
Përfaqësuesi i BERZH-it Z. Maslichenko theksoi se “ky projekt do të lidhë më shumë ndërtesa me ngrohtoren e qytetit dhe se është shembulli më i mirë i bashkëpunimit në mes akterëve të ndryshëm”.
Në anën e tij, Përfaqësuesi i BE-së tha “Me një investim prej 80 milionë euro nga EU, BERZH, KfW, dhe institucionet e Kosoves, ky projekt ndryshon paradigmen e prodhimit të energjisë në Kosovë pasi po bëjmë një ndryshim të rëndësishëm drejt energjisë më të pastër dhe të volitshme për të gjithë qytetarët”.
Në anën tjetër, Kryetari Rama përshëndeti punën e deritanishme duke thënë se “nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është një moment historik për Prishtinën sepse garantohet fuqizimi i komunitetit dhe nxitet rritja ekonomike”.
Së fundmi Z. Osmani falënderoi Ministrin Murati dhe partnerët ndërkombëtarë për përkrahjen në avancimin e shërbimeve të ofruara nga Ngrohtorja e Qytetit të Prishtinës Termokos duke theksuar se ky projekt është projekti më i madh i energjisë termike në Kosovë i cili do të sigurojë ngrohje të qëndrueshme dhe përballueshme për qytetarët e Prishtinës.
Së fundmi, të gjitha palët u shprehën të gatshme të thellojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë por edhe në projekte tjera të përbashkëta.