Nipi i nazistit famëkeq Ernst Kaltenbrunner u arrestua në Austri pasi policia gjeti gjashtë nga fëmijët e tij të mbyllur në bodrumin e shtëpisë së familjes, shkruan “Daily Mail”.
Pesëdhjetë e katër vjeçari Tom Landon, baba i gjashtë fëmijëve, dyshohet se i ka mbyllur në bodrum. Të gjithë fëmijët janë nën moshën shtatë vjeç.
Policia e arrestoi pasi sulmoi fizikisht policët që erdhën për ta marrë në pyetje për kushtet në të cilat jeton familja e tij në Obritz, rreth njëqind kilometra në veri të Vjenës.
Fqinjët thirrën policinë pasi dëgjuan klithma nga bodrumi i shtëpisë ku Landon jeton me gruan e tij 40-vjeçare dhe tre djemtë dhe tre vajzat e tyre.
Dy punonjës të Shërbimeve Sociale erdhën për të kontrolluar fëmijët dhe policia thotë se burri i sulmoi ata me sprej piper dhe bllokoi derën e bodrumit. Punëtorët kanë lajmëruar policinë dhe gjatë kontrollit kanë gjetur një grua dhe gjashtë fëmijë.
Policia gjeti edhe disa armë, mes tyre një pistoletë, një hark dhe një armë ajrore.
Sipas të dhënave të policisë, fëmijët kanë lindur në Angli dhe nuk ishin të regjistruar zyrtarisht në Austri.
Landon u dërgua në paraburgim dhe më pas u lirua pa akuza.
Landon tha se incidenti ishte pjesë e një hakmarrjeje kundër një zyrtari lokal, Erich Greil, i cili nuk ishte dakord me stilin e tyre të jetesës.
Gjyshi i Landonit, Kaltenbrunner, ishte lideri i SS në Austri dhe më vonë shefi i policisë në Gjermaninë e kohës së luftës, një ndjekës besnik i Adolf Hitlerit, si dhe një nga protagonistët kryesorë të Holokaustit. Ai themeloi kampin e përqendrimit Mathausen, i pari i këtij lloji në Austri, ku u vranë rreth 90,000 njerëz.
Landon dyshohet se është anëtar i lëvizjes “Reichsburger”, një grup i të djathtëve ekstremë që besojnë se perandoria gjermane ekziston ende si para Luftës së Dytë Botërore./FolDrejt/