Komuna e Prishtinës ka njoftuar se që nga sot ka nisur zbatimi i marrëveshjes për bashkëpunim, i nënshkruar mes Kryeqytetit e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në fillim të javës, mes Kryetarit të Prishtinës, Perparim Rama e Drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi në prani të ministrit të shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorit të shëndetësisë, Izet Sadiku.
“Sot filloi zbatimi i pilot projektit përmes së cilit pacientët e rajonit të Prishtinës që pësojnë infarkt akut të miokardit në kohë rekorde do të marrin trajtimin në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë Invazive, përkatësisht do të sjellen direkt në koronarografi dhe stentim, pa shkuar në Klinikën Emergjente.
Nisjen e reazlimit të këtij pilot projekti e cilësoi shumë të rëndësishëm nënkryetari i Kryeqytetit,Alban Zogaj, i cili tha se do të ofrohen të gjitha kapacitetet mjekësore dhe infrastrukturore për të zbatuar këtë projekt jetik për pacientet.”, thuhet në njoftimin e komunës.
“Me këtë rast, drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se përmes Klinikës së Kardiologjisë do të mundësojë që pacientët që pësojnë infarkt të miokardit do të sjellin direkt në Kardiologji Invazive nga Enti i Urgjencës së Komunës së Prishtinës, duke shfrytëzuar kohën që në mjekësi njihet si koha e “artë” në reagim të shpejtë.”, bën të ditur komuna më tej.