Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar seanca mbi propozimin francez, por fjalimi i kryeministrit Kovaçevski është pamundësuar nga opozita maqedonase, pasi deputetët aktivizuan sirenat, boritë dhe fishkëllimat.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar seanca mbi propozimin francez, por fjalimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski në hapjen e seancës është pamundësuar nga opozita maqedonase, pasi deputetët e bllokut opozitar aktivizuan sirenat, boritë dhe fishkëllimat, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Shtëpia ligjvënësi filloi seancën e 81-të, në të cilën deputetët do të diskutojnë mbi informacionin për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese të vendit për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE), të propozuar më 30 qershor të këtij viti nga Presidenca e Francës me Këshillin e BE-së.
Në fillimin e seancës para deputetëve foli kryeministri Kovaçevski, por fjalimi i tij që i referohej rendit të ditës u pamundësua nga blloku opozitar maqedonas.
Që në fillim të fjalës së kryeministrit, opozita filloi me fishkëllima, si dhe me bori dhe vuvuzela, si pasojë nuk dëgjohej asgjë nga ajo që tha kryeministri në foltoren e Kuvendit.
Kryeministri Kovaçevski, duke mos i kushtuar vëmendje britmave dhe borive, e përfundoi fjalimin e tij lidhur me propozim-kornizës negociuese të vendit me BE-në.
Pas fjalës së tij, kryeministri dhe ministrat e qeverisë së tij lëshuan seancën parlamentare.
Më herët, para fillimit të seancës parlamentare, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u adresua para deputetëve të Kuvendit, ndërkohë gjatë fjalës së saj deputetët e opozitës VMRO-DPMNE ishin të veshur me bluza të shkruara në to “JO” për propozimin francez.
Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në këtë seancë nuk do të votojnë “pro” apo “kundër” propozimit francez, gjegjësisht kornizës negociuese të propozuar nga presidenca franceze me BE-në, por do të votojnë për konkluzionet me të cilat qeverisë i jepet drejtim dhe e obligon se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të negociojë në procesin e integrimit të vendit në BE.
Në bazë të konkluzioneve që do t’i sjellë Kuvendi dhe të cilat i shpalli koalicioni qeverisës në formë të propozimit, qeveria në asnjë rast nuk duhet të hyjë në negociata me BE-në nëse ato prekin gjuhën maqedonase, si dhe identitetin, historinë dhe kulturën e popullit maqedonas.
Sikur edhe ditët e kaluara vazhdojnë protestat që kërkojnë refuzimin e propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.
Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos dyvjeçare të Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE./FolDrejt/