Nën drejtimin e Gjermanisë, sot nis stërvitja ajrore Air Defender 23, e cila është më e madhja në historinë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Manovrat, të cilat do të zgjasin deri më 23 qershor, do të zhvillohen mbi Gjermani dhe pjesë të deteve të Veriut dhe Baltikut dhe do të përfshijnë 25 vende.
Ambasadorja e ShBA në Gjermani Amy Gutmann e quajti stërvitjen fillestare një demonstrim mbresëlënës të gatishmërisë së NATO-s.
“Për të gjithë ata që shikojnë, do të jetë një shfaqje absolutisht mbresëlënëse e unitetit, forcës dhe gatishmërisë,” tha Gutmann në një konferencë shtypi në Berlin javën e kaluar. Forcat Ajrore Gjermane njoftuan se të gjitha operacionet do të përqendrohen vetëm në stërvitjen mbrojtëse.
Do të angazhohen 250 avionë, të cilët do të bëjnë rreth dy mijë fluturime. Rreth 10,000 ushtarë do të marrin pjesë në stërvitje. Ushtria gjermane, si dhe NATO, nuk përjashtojnë mundësinë e vonesës së fluturimeve civile për shkak të manovrave. Sipas një deklarate të Forcave Ajrore Gjermane, kufizimet nuk duhet të zgjasin më shumë se disa minuta.
Tre zona të mëdha janë caktuar për manovra në hapësirën ajrore gjermane, në jugperëndim të vendit, në verilindje, duke përfshirë Balltikun dhe në veri, duke përfshirë zonat mbi Detin e Veriut. /FolDrejt/