Në Maqedoninë e Veriut sot ka nisur vaksinimi i deputetëve kundër COVID-19.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se u ka dorëzuar institucioneve shëndetësore listën me të gjithë 120 deputetët, të cilët janë njoftuar për vendin dhe kohën e vaksinimit dhe se u takon atyre të vendosin nëse do t’i përgjigjen ose jo thirrjes.
“Të gjithë ata kanë të drejtë të vendosin nëse duan ose jo të vaksinohen. Atyre u është ofruar mundësia e vaksinimit dhe u takon vetë atyre të vendosin nëse duan ose jo të bëjnë këtë”, ka deklaruar Xhaferi.
Sa i përket vaksinimit, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se me imunizimin e ditës së premte konsumohet dërgesa e vaksinave Sputnik V dhe më shumë se gjysma e 1,000 dozave të vaksinës kineze Sinofarm.
Të hënën Maqedonia e Veriut siguroi 10,600 vaksina Pfizer ndërsa deri në fund të muajit pret edhe 10 mijë të tjera sikur edhe 200 mijë vaksina kineze Sinofarm.
Për lehtësimin e masave do të vendoset në fillim të javëss së ardhshme.
Nga Qeveria kanë paralajmëruar hapjen e sektorit të gastronomisë si dhe shkurtimin e orës policore.