Raportohet se policia përdori “Pegasus” pa urdhër gjyqësor për të spiunuar 26 shtetas izraelitë të dyshuar për çështje kriminale.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka urdhëruar ekzaminime të mëtejshme për përdorimin e softuerit të spiunazhit “Pegasus” për të hakuar telefonat e qytetarëve izraelitë, sipas mediave lokale, shkruan AA.
Ky vendim erdhi pasi kryeministrit Bennett iu tha se policia izraelite “përpiqej të spiunonte vetëm tre” nga 26 individë, të cilët policia kërkoi t’u hakonte telefonat e tyre, raportoi gazeta “Haaretz”.
Kryeministrit izraelit iu prezantua informacioni se “policia arriti të hakonte me sukses vetëm një nga telefonat e tyre”, sipas të përditshmes.
Sipas Channel 12, policia kishte marrë një miratim gjyqësor për përdorimin e softuerit të spiunazhit “Pegasus” kundër tre personave.
Në janar, uebsajti izraelit “Calcalist” zbuloi se policia përdori “Pegasus” pa urdhër gjyqësor për të spiunuar 26 shtetas izraelitë të dyshuar për çështje kriminale, transmeton Fol Drejt.
Faqja e internetit tha se policia përdori programin për të hakuar telefonat e drejtuesve të protestës kundër ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Softueri i spiunazhit “Pegasus” lejon operatorët e tij të hakojnë celularët duke shfrytëzuar dobësitë e sigurisë në sistemet operative Android dhe iPhone. Ai u zhvillua nga kompania private izraelite NSO, me qendër në qytetin Herzliya, e cila zhvillon programe për luftë elektronike dhe spiunazh digjital.
Softueri i spiunazhit shkaktoi skandale në mbarë botën pas zbulimit të rasteve të spiunazhit kundër politikanëve, zyrtarëve qeveritarë, gazetarëve dhe aktivistëve në vende të ndryshme./FolDrejt/