Në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës – Potoçari, sot filloi gërmimi i varreve, ku do të varrosen mbetjet mortore të 50 viktimave të sapoidentifikuara të gjenocidit në Srebrenicë, të cilët do të varrosen në një funeral kolektiv më 11 korrik të këtij viti.
Kenan Karavdiq, ndihmësdrejtor i ndërmarrjes publike “Varrezat e Qytetit” Visoko, ishte sot në varrezat e Qendrës Memoriale ku filloi gërmimi i varreve për viktimat e gjenocidit të kryer në verën e vitit 1995 në zonën e Srebrenicës, Bosnjë e Hercegovinë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Që nga viti 2003 kjo ndërmarrje publike është përfshirë në organizimin e varrimeve për viktimat e gjenocidit. Sot kemi filluar hapjen e varreve. Në varrezat e Qendrës Memoriale ekzistojnë rezervime për të zhdukurit. Po mundohemi të përmbushim nevojat e familjeve që nëse një vëlla, baba ende nuk është gjetur të lëmë vend. Këtë vit do të jenë 50 varre”, tha Karavdiq.
Këtë vit u ndryshua data e nisjes së arkivoleve me eshtrat e viktimave nga Visoko.
“Këshilli organizativ vendosi që këtë vit të jetë më 8 korrik”, shtoi Karavdiq.
Këtë vit, 50 viktima të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995 do të varrosen në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës – Potoçari.
Viktima më e vjetër eshtrat e të cilit do të varrosen këtë vit në varrezat e Qendrës Memoriale në Potoçari është Husejin Krdzhiq, i lindur në vitin 1936.
Ndër viktimat që do të varrosen këtë vit janë edhe tre të mitur.
Bëhet fjalë për djem që ishin vetëm 16 dhe 17-vjeç kur u vranë. Do të varrosen edhe binjakët Samir dhe Semir Hasanoviq, të cilët në momentin e vdekjes ishin vetëm 20-vjeç. Eshtrat e tyre u gjetën në varreza të ndryshme masive. Babë e bir – Hajdin dhe Sead Hukiq do të gjejnë paqen e tyre përfundimtare. Ky është djali i tretë i Hajdinit që ishte zhdukur. Dy djem janë varrosur më herët ndërsa njëri është ende në kërkim.
Në projektin e identifikimit të Podrinjës gjenden eshtrat e 31 viktimave të tjera të cilët janë identifikuar zyrtarisht me metodën e ADN-së dhe nga familjarët e tyre, por ende nuk ka pëlqim për varrimin e këtyre viktimave.
Po ashtu, 61 viktima të tjera janë identifikuar nëpërmjet ADN-së, por familjet nuk kanë vazhduar me identifikimin zyrtar./FolDrejt/