Nisma Socialdemokrate ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Gjatë seancës së sotme ajo ka reaguar lidhur me një deklaratë të dikurshme të Hekuran Muratit, transmeton Fol Drejt.
Nisma Socialdemokrate ka insistuar se Murati nuk e kupton dot vlerën e lirisë as si koncept e as si realitet.
“Deklarata e ministrit të financave Hekuran Murati se ‘më lirë do të na kushtonin mercenarët sesa UÇK-ja’ është skandal i rëndë dhe si i tillë është i pafalshëm për një bartës të një funksioni publik. Një deklaratë e tillë nga një zyrtar i lartë qeveritar fyen rëndë vuajtjet e shekullore të popullit shqiptar! Fyen rëndë mijëra dëshmorë dhe martirë të cilët dhanë jetën për çlirimin e vendit! Fyen rëndë çdo luftëtar të UÇK-së. Fyen rëndë qindra fëmijë të vrarë në mënyrë mizore nga barbaria serbe! Fyen rëndë mbi 20 mijë gra e vajza të dhunuara gjatë luftës!
Fyen rëndë lirinë e vendit.
Ky tip mercenari nuk e kupton dot vlerën e lirisë as si koncept e as si realitet”, thuhet në reagimin e Nismës.
“Lufta e UÇK-së është vlera më e çmueshme dhe themeli i lirisë së vendit. Liria nuk është pazar, siç e sheh mercenari, Hekuran Murati!
Prandaj, NISMA Socialdemokrate kërkon dorëheqje të menjëhershme të Hekuran Muratit nga posti i Ministrit të Qeverisë së Kosovës si dhe distancim publik të kryeministrit Albin Kurti nga kjo deklaratë skandaloze!”, thuhet më tej. /FolDrejt/