Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ku u rikonfirmua mbështetja e palëkundur e shtetit të Finlandës në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, shkruan Fol Drejt.
“Miqësia dhe partneriteti me Finlandën shtrihet në sfera të shumta të bashkëpunimit në mes dy vendeve tona. Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës në proceset e integrimit evropian. U riafirmua dhe nga ambasadori Nissinen mbështetja e palëkundur e shtetit të Finlandës në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian. Kosova i përket familjes evropiane dhe hap pas hapi ecën drejt përmbushjes së objektivit strategjik dhe afatgjatë të anëtarësimit në strukturat dhe organizmat evropianë.”, shkruan në njoftimin për medie të Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrit.
Tutje, në takim u tha se u diskutua edhe mbi procesin e dialogut ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka një qasje aktive dhe konstruktive dhe se është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
“Propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara.”, u tha në fund të komunikatës. /FolDrejt/