Një anije peshkimi kineze u përmbys në Oqeanin Indian dhe të gjithë 39 anëtarët e ekuipazhit janë të zhdukur, njoftoi sot televizioni shtetëror kinez (CCTV), përcjell Fol Drejt.
“Deri më tani, asnjë person i zhdukur nuk është gjetur”, raportoi CCTV, duke shtuar se presidenti kinez Xi Jinping kishte urdhëruar një operacion kërkimi dhe shpëtimi.
Ekuipazhi i anijes së përmbysur përfshin 17 marinarë nga Kina, 17 nga Indonezia dhe pesë nga Filipinet.
Anija, që i përkiste kompanisë kineze të specializuar në peshkimin Pengali Jinglu Fishery Co, u përmbys dje rreth orës 3:00 të mëngjesit me orën lokale (9:00 pasdite të hënën CET).
Ekipet e shpëtimit nga Australia dhe disa vende të tjera kanë arritur në vendin e rrëzimit dhe Kina ka dërguar dy anije për të marrë pjesë në kërkim, tha CCTV.
Qeveria kineze nisi një operacion emergjent që, sipas televizionit, përfshinte ambasada dhe konsullata në Australi, Sri Lanka, Maldive, Indonezi dhe Filipine.
Kina ka flotën më të madhe të peshkimit në botë, e vlerësuar në 564,000 anije në vitin 2022, sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Megjithatë, për shkak të reduktimit të burimeve të peshkimit, peshkatarët kinezë detyrohen të lundrojnë gjithnjë e më tej dhe përfshihen në një numër më të madh mosmarrëveshjesh dhe aksidentesh detare. Dy anëtarë të ekuipazhit kinez vdiqën në prill kur anija e tyre u fundos në brigjet e Filipineve. /FolDrejt/