Tumso Abdurahmanov, një kritik i njohur i liderit çeçen Ramzan Kadyrov, u vra në Suedi, sipas kolegëve të blogerit për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë. Abdurahmanov u vra gjatë natës mes 1 dhe 2 dhjetorit.
Autoritetet suedeze nuk kanë bërë të ditur asgjë për këtë, përveç se nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e Abdurahmanov.
Kanali Telegram i opozitës çeçene, 1ADAT, konfirmoi gjithashtu më 5 dhjetor se Aburahmanov ishte vrarë dhe se vëllai i tij Muhamad Abdurakhmanov ishte nën mbrojtjen e forcave suedeze të sigurisë.
Lajmi se u vra Abdurahmanov (36) u shfaq në rrjetet sociale më 1 dhjetor, por nuk mund të konfirmohej.
Grupet opozitare çeçene raportuan se nuk ishin në gjendje të kontaktonin blogerin dhe se përfaqësuesit e tij thanë se nuk kishin qenë në kontakt me të ose me vëllain e tij.
Në janar 2021, disa shtetas rusë nga Çeçenia morën dënime të gjata me burgim në Suedi për atentatin në shkurt 2020 ndaj Abdurakhmanov.
Njëri prej tyre, Ruslan Mamayev, dëshmoi se ai vepronte në emër të autoriteteve çeçene, të cilët i premtuan se do t’i paguanin 50,000 euro.
Kadyrov, i cili ka qenë në pushtet në Çeçeni që nga viti 2007, akuzohet shpesh nga grupet ruse dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për shkelje të të drejtave të njeriut nëpërmjet rrëmbimeve, torturave, vrasjeve jashtëgjyqësore.
Abdurakhmanov, një bloger i njohur në YouTube, i cili ka kritikuar ashpër Kadyrov dhe qeverinë e tij në Çeçeni, u largua nga Rusia në vitin 2015. Atij iu dha azil politik në Suedi, transmeton Fol Drejt.