Një bombardim në provincën qendrore të Ghazni në Afganistan vrau të paktën 30 anëtarë të forcës afgane të sigurisë të Dielën, , dhe viktimat mund të rriteshin duke pasur parasysh intensitetin dhe vendndodhjen e shpërthimit, thanë zyrtarët.
Baz Mohammad Hemat, drejtori i spitalit provincial në Ghazni, tha se 30 trupa dhe 24 persona të plagosur ishin transportuar atje. “Të gjitha viktimat janë personel i sigurisë,” tha ai.
Shpërthimi synoi një kompleks të forcës së mbrojtjes publike, thanë zyrtarët lokalë.
Ky shpërthim dëmtoi banesat civile rreth kompleksit dhe mund të ketë më shumë viktima nga atje, thanë ata.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Tariq Arian konfirmoi se kishte pasur një shpërthim bombe por nuk dha informacion të mëtejshëm mbi shënjestrën ose viktimat e mundshme.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Afganistani ka parë një mori bombardime të veturave gjatë muajve të fundit, megjithë bisedimet e paqes që ishin duke u zhvilluar midis ekipeve negociuese të Talibanëve kryengritës dhe qeverisë në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Dhuna në vend, në luftë për dy dekada, mbetet e papranueshme, thonë qeveritë dhe institucionet e huaja, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm midis qeverisë Afgane dhe Talibanëve.
Një bombardim tjetër të Dielën, në provincën lindore të Zabul, duke synuar një zyrtar të lartë provincial, vrau të paktën një person dhe plagosi 23, tha Gul Islam Syaal, zëdhënësi i guvernatorit të krahinës.
Haxhi Ata Jan Haqbayan, kreu i këshillit provincial të Zabul, pësoi lëndime të lehta në sulmin ndaj kolonës së tij.