Një grua 29-vjeçare është arrestuar në Nju Xhersi pasi dyshohet se është paraqitur si nxënëse e shkollës së mesme.
Gruaja, e identifikuar nga policia si Hyejeong Shin, është akuzuar për përdorimin e një dokumenti të rremë identifikimi për t’u regjistruar në shkollën e mesme të New Brunswick, shkruan BBC, përcjell Fol Drejt.
Zonja Shin ndoqi shkollën për katër ditë përpara se stafi të zbulonte moshën e saj.
Zyrtarët e shkollës thanë se policia po heton çështjen dhe do të bëhet një rishikim i procesit të regjistrimit të distriktit.
Çështja doli në dritë në një takim të bordit arsimor lokal të martën, ku mbikëqyrësi i distriktit të shkollës publike të New Brunswick Aubrey Johnson u tha të pranishmëve se zonja Shin u kap në shkollë.
“Javën e kaluar, duke paraqitur disa dokumente false, një femër e rritur që paraqitej si studente mundi të regjistrohej në shkollën tonë të mesme”, tha Johnson.
Ai shtoi se ajo kishte qenë në disa klasa dhe kishte kaluar ca kohë me këshilltarët udhëzues, të cilët u përpoqën të gjenin më shumë informacion rreth saj.
Më pas u zbulua mosha e rreme e zonjës Shin, tha zoti Johnson, dhe shkolla njoftoi menjëherë policinë.
Që atëherë ajo është arrestuar për sigurimin e një certifikate false të lindjes “me qëllim që të regjistrohet si nxënëse e mitur në shkollë të mesme”, ka thënë Departamenti i Policisë në New Brunswick.
Studentët thanë se gruaja u kishte dërguar mesazhe disa prej tyre, duke u kërkuar që të rrinin.
Njëri i tha CBS New York se vajzat “nuk u shfaqën kurrë dhe ajo [zonja Shin] filloi të sillej çuditshëm me to”.
Ligji i shtetit të Nju Xhersit lejon që studentët të regjistrohen në shkollë edhe pa një kujdestar ose pa të gjitha dokumentet e kërkuara, tha policia.
Kjo nuk është hera e parë që një i rritur kapet duke u paraqitur si gjimnazist.
Një burrë i quajtur Brian MacKinnon pozoi si student i vitit të pestë në një shkollë të mesme pranë Glasgow në 1993 kur ishte 30 vjeç. Ai pretendonte se ishte një 17-vjeçar nga Kanadaja.
MacKinnon mbeti i regjistruar në shkollë për një vit të tërë. Ai u ekspozua një vit më vonë kur ishte student në shkollën e mjekësisë të Universitetit Dundee, pasi një gazetë raportoi mbi identitetin e tij të vërtetë.
Historia e tij tërhoqi vëmendjen mbarëbotërore dhe ishte subjekt i një filmi dokumentar të vitit 2022./FolDrejt/