Një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën rëndë të dielën gjatë një sulmi me të shtëna në një kishë në Qarkun Orange të Kalifornisë, sipas autoriteteve.
Të shtënat ndodhën brenda Kishës Presbiteriane të Gjenevës në Laguna Woods, shkroi në Twitter Departamenti i Sherifit të Qarkut Orange, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Kemi arrestuar një person dhe kemi gjetur një armë që mund të jetë përdorur në sulm”, thuhet në Twitter.
I dyshuari është ndaluar në vendin e ngjarjes.
Sulmi ndodhi një ditë pas të shtënave masive me motive racore në Buffalo të New York-ut, ku të paktën dhjetë persona mbetën të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur.
Zyra e Guvernatorit të Kalifornisë Gavin Newsom tha se po “monitoron në mënyrë aktive” rastin.
“Askush nuk duhet të ketë frikë të shkojë në vendin e tij të adhurimit. Mendimet tona janë me viktimat, komunitetin dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje tragjike”, tha zyra./FolDrejt/