Mes presionit të pandemisë, kur e gjithë bota merrej me shqetësime dhe përpiqej të mbahej në jetën e përditshme, gara “Istanbul Photo Awards” arriti të pasqyrojë ngjarje të paharrueshme me fuqinë e pamohueshme të fotografive.
Fotoreporteri Alain Schroeder, fituesi i çmimit të parë në kategorinë e çmimeve “Story Sports 2021” të konkursit “Istanbul Photo Awards”, ka theksuar se ky konkurs ndërkombëtar i organizuar nga Anadolu Agency (AA) është një garë e rëndësishme për fotoreporterët dhe diçka që komuniteti e pret me padurim.
Mes presionit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), kur e gjithë bota merrej me shqetësime dhe përpiqej të mbahej në jetën e përditshme, gara “Istanbul Photo Awards” arriti të pasqyrojë ngjarje të paharrueshme me fuqinë e pamohueshme të fotografive.
Schroeder është në mesin e një grupi fotoreporterësh që kaluan tre muaj në izolim në një apartament në kryeqytetin Nur Sultan të Kazakistanit pasi ai mbërriti për të fotografuar lojërat tradicionale të kuajve ‘Kok Boru’ në mars të vitit 2020.
Meqenëse masat e marra nga qeveria e Kazakistanit nuk e lejuan atë të xhirojë lojërat pasi duhej të qëndrojë në izolim, Schroeder tha se u kthye në kryeqytet në nëntor të po të njëjtit vit për një mundësi tjetër për të mbuluar lojërat.
“Kam praktikuar gjetjen e këndeve dhe situatave të ndryshme që tregojnë emocione. Kam testuar kontradiktat me kamerën time. Kam kaluar disa javë duke udhëtuar në të gjithë vendin për të gjetur fusha lojërash në vende të jashtëzakonshme, përballë një mali ose pranë ujit. Vitin e kaluar fitova çmimin e tretë në kategorinë e lajmeve në konkurs”, tha Schroeder për AA.
Duke përmendur se sa njerëz i thanë se falë fotove të tij mësuan për gjendjen e orangutangëve dhe shkatërrimin e mjedisit të kafshëve për shkak të “prerjeve të paligjshme, minierave dhe shfrytëzimit të vajit të palmës”, Schroeder theksoi fuqinë e fotografive të mira, duke u shprehur se “fotografia absolutisht mund të ketë një ndikim dhe të bëjë një ndryshim”.
“Istanbul Photo Awards tani është një garë e rëndësishme për një fotoreporter dhe një takim që të gjithë e presim”, tha fituesi i çmimit të parë në kategorinë e çmimeve “Story Sports 2021”.
– Gëzimi i suksesit në “konkurrencë prestigjioze”
Roman Vondrous, një fotoreporter në Agjencinë Çeke të lajmeve, fitoi çmimin e parë në kategorinë “Single Sports” për punën e tij në kryeqytetin Pragë.
Ai bëri fotografi të futbollistëve të klubit ‘Bohemians 1905’ duke falënderuar tifozët e tyre pas një ndeshje kundër klubit ‘FK Pribram’ më 15 dhjetor të vitit 2020 në stadiumin ‘Dolicek’.
Pavarësisht ndalimit të tifozëve për të ndjekur ndeshjen për shkak të pandemisë COVID-19, disa tifozë arritën të ndjekin ndeshjen duke qëndruar në shkallë druri për të parë në stadium.
“Nuk është e lehtë t’i kushtosh vëmendje të gjithë ndeshjes duke mbajtur drejtpeshimin në shkallë. Po ashtu ishte interesante që shumë nga fansat nuk hezituan të udhëtojnë me shkallët e tyre në të gjithë qytetin me transport publik ose me makinë”, tha Vondrous për AA.
“Ne me kolegun tim zgjodhëm një nga ndërtesat përballë stadiumit dhe e pyetëm pronarin nëse mund të bëjmë disa foto nga aty. Ne ishim me fat që skuadra vendase fitoi dhe lojtarët iu afruan tifozëve për të falënderuar pas ndeshjes. Ishte pikërisht fotografia që prisnim”, shtoi ai.
Pavarësisht përparimeve teknologjike që i ndihmojnë fotoreporterët të bëjnë fotografi më të mira në shumicën e situatave, Vondrous shpjegon se, “Për të bërë një shkrepje të jashtëzakonshme ende duhet të jeni në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Kjo nuk ka ndryshuar fare. Edhe në këtë kohë të komplikuar që po përjetojmë, jam i bindur se fotografitë ende kanë fuqinë për të shfaqur epokën tonë në një mënyrë të jashtëzakonshme”.
Duke përmendur se pas shpalljes së fituesve të konkursit “Istanbul Photo Awards” ai pranoi shumë posta elektronike dhe mesazhe urimesh, Vondrous tha se ishte shumë i lumtur që arriti të ketë sukses në “një konkurs kaq prestigjioz ku fotografitë vlerësohen nga një juri me reputacion”.
Ai po ashtu ka dorëzuar disa nga fotografitë e tij për raundin tjetër të konkursit dhe siç tha ai, “do të ishte vërtetë mirënjohës për çdo njohje”.
Vondrous po ashtu fitoi çmimin e dytë në kategorinë “Single Sports” në vitin 2015.
Për më shumë informacione mbi fotografitë e dalluara nga “Istanbul Photo Awards” vizitoni ‘istanbulphotoawards.com’. Në këtë faqe të internetit, fotografët profesionistë mund të aplikojnë për konkursin e vitit 2022 deri më 15 shkurt.
Fituesit marrin çmime në para dhe fotografitë njihen në librin e fotografive të çmimeve dhe në ekspozita ndërkombëtare.
Konkursi i vitit 2022 mbështetet nga Canon, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), si dhe nga transportuesi ajror turk “Turkish Airlines”./aa/FolDrejt/