Gjykata Themelore në Ferizaj njofton se ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh K.D., mbi dyshimet për fajde dhe evazion fiskal.
Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston një dyshim i bazuar se i pandehuri nga viti 2020 në Lipjan, ka kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të shkaktuar nga pandemia COVID-19, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në atë mënyrë që i dëmtuari B.G., si pronar i një ndërmarrjes tregtare, për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga një auto sallon në Prishtinë vetura në vlerë prej 600.000 euro në afat pagese prej dy muajve, të cilat i ka shitur për çmimin 400.000 euro, duke pësuar dëme pasurore në shumë prej 200.000 euro. Gjithashtu, në kohë dhe vende të njëjtë i pandehuri në atë mënyrë që i dëmtuari Xh.Sh., si pronar i ndërmarrjes hotelerie për shkak të obligimeve ndaj personave për fajde, është detyruar të blej nga një auto sallon në Prishtinë disa vetura në vlerë prej 500.000 euro në afat pagese prej dy muajve, të cilat vetura i ka shitur me çmimin 300.000 euro, duke pësuar dëm pasuror në shumë prej 200.000 euro me të cilat veprime ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer dy vepra penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Si dhe në fillimin e vitit 2020 në Prishtinë, me qëllim që t`i shmangen pjesërisht pagesës së tatimit për të përfituar rimbursimet tatimore, si bashkëpronar i një auto sallonit, në atë mënyrë që me rastin e shit-blerjes së veturave, pagesën e kanë bërë me para kesh, duke shënuar vlera jo të sakta të mallrave të shitura, të cilat para pastaj i kanë përdorur për kryerjen e veprës penale fajdeja, me çka kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shuma disa mijëra euro, me të cilat veprime ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale shmangia nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /BetimipërDrejtësi/