Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 31.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 28.02.2022, ndaj të pandehurit I.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja”.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Më datën 31 janar 2022, në Gjykatën Themelore Prizren, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur në sallën e kësaj Gjykate, i pandehuri I.B., seriozisht e kanos personin tjetër me qëllim frikësimi dhe shkaktimit të ankthit djalin e vëllait – këtu të dëmtuarin, në atë mënyrë që derisa i pandehuri dhe i dëmtuari kanë qenë në seancën gjyqësore në prezencë të gjyqtarit gjykues, prokurorit të shtetit dhe palëve tjerë lidhur me një rast tjetër penal, gjatë mbajtjes së seancës, i pandehuri I.B., i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “do të djegi të tërin dhe unë do të përfundoj këtë punë”, si dhe fjalët “do të varrosi të gjallë”, me të cilat fjalë tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij”, thuhet në njoftim.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare, me qëndrimin e pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti do të pengojë rrjedhën normale të kësaj procedure penale.
Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke pasur parasysh sjelljen kundërligjore të të pandehurit, ashtu që duke mos përfillur prezencën e gjyqtarit, prokurorit dhe pjesëmarrësve të tjerë në seancë, e ka kanosur të dëmtuarin para gjithë tyre, kjo tregon rrezikun të përsëritjes së veprës së njëjtë penale apo të kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale e që mund të ketë pasoja edhe më të mëdha. /Telegrafi/