Gjykata Themelore në Gjakovë i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit D. F, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit.
Sipas komunikatës, i pandehuri D. F. me 14 janar 2020, në Rahovec në zdrukthëtarinë “B…”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që, i pandehuri D. F., duke qenë në cilësi të inspektorit të ATK-së në Prizren, e me qëllim të mos inspektimit të punëtorisë së të dëmtuarit A. H., përmes të pandehurit tjetër B. H. ky i fundit në cilësinë e kontabilistit të në dyqanin e zdrukthëtarisë së të dëmtuarit, nga i dëmtuari A. H. ka marrë njëqind (100) euro para të gatshme si dhe një (1) tavolinë dhe katër (4) karrige në vlerë pre treqind e gjashtëdhjetë (360) euro.
“Po ashtu me datë 14 prill 2020, i pandehuri B. H. si kontabilist i dyqanit ka marrë nga i dëmtuari A. H. edhe 500 euro të tjera të cilat para paraprakisht i dëmtuari i kishte marrë nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë duke u zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit, përkatësisht simulimi i veprës penale të korrupsionit. Përmes kamerave të sigurisë të cilat ishin vendosur në punëtorinë e të dëmtuarit, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Gjakovës, është arritur që i pandehuri të zihet në flagrancë dhe të arrestohet nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Me këtë veprime i pandehuri D. F., dyshohet që në mënyrë të tërthortë ka përfituar materialisht për vete përmes të pandehurit B. H. si kontabilist, ku dyshohet të ketë kryer dy vepra penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 14 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 14 maj 2020.