Arabia Saudite planifikon të ftojë presidentin sirian Bashar al-Assad në një samit të Ligës Arabe të organizuar nga Riadi në maj, një veprim që i jep fund zyrtarisht politikës rajonale të izolimit të Sirisë, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan do të udhëtojë në Damask javën e ardhshme për t’i bërë një ftesë zyrtare Asadit për të marrë pjesë në samitin e 19 majit.
Pjesëmarrja e Asadit në samitin e Ligës Arabe do të shënonte ngjarjen më të rëndësishme në rehabilitimin e tij në botën arabe që nga viti 2011, kur Siria u pezullua nga organizata. Asadi u bojkotua nga shumë vende perëndimore dhe arabe pas fillimit të luftës civile në këtë vend.
Muajin e kaluar, Riadi dhe Damasku arritën një marrëveshje për të rihapur ambasadat e tyre pas përfundimit të muajit të Ramazanit. Egjipti gjithashtu vazhdoi kontaktet me Asadin. Të dyja palët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin të shtunën gjatë vizitës së parë zyrtare të ministrit të Jashtëm sirian në Kajro në dhjetë vjet.
Disa vende, duke përfshirë ShBA-në dhe Katarin, kanë kundërshtuar normalizimin e marrëdhënieve me Assadin, duke përmendur brutalitetin e qeverisë së tij gjatë konfliktit dhe nevojën për të parë përparim drejt një zgjidhjeje politike në Siri.
Kontaktet midis zyrtarëve sauditë dhe sirianë morën vrull pas një marrëveshje historike në mars midis Arabisë Saudite dhe Iranit, aleatit kryesor të Asadit, për të rivendosur lidhjet.
Afrimi midis Riadit dhe Teheranit është pjesë e një riorganizimi të madh rajonal mes tensioneve në rritje midis Iranit dhe Izraelit. /FolDrejt/