Të paktën një në çdo pesë persona në mbarë botën është i ekspozuar ndaj dhunës dhe ngacmimit në vendin e punës, njoftoi Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e Kombeve të Bashkuara.
Në raportin e titulluar “Përvojat e dhunës dhe ngacmimit në punë: Sondazhi i Parë Global” i përgatitur nga ILO, në të cilin janë intervistuar rreth 75.000 punonjës mbi moshën 15 vjeç nga 121 vende, janë ndarë statistikat e personave që janë nënshtruar ndaj keqtrajtimit në vendin e punës, sipas moshës, gjinisë dhe rajonit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Raporti thekson se të paktën një në çdo pesë punonjës (rreth 23 për qind) ka përjetuar dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale ose ngacmim në vendin e punës.
17,9 për qind e punonjësve meshkuj dhe femra që kanë marrë pjesë në intervistë i janë nënshtruar dhunës dhe ngacmimit psikologjik.
Ndërsa 8,5 për qind e punonjësve kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës dhe ngacmimit fizik, këtë situatë e kanë përjetuar më shumë punonjësit meshkuj.
6,3 për qind e punonjësve, veçanërisht gra, janë ekspozuar ndaj dhunës dhe ngacmimit seksual.
Dhuna dhe ngacmimet në vendin e punës, më të larta në SHBA
Dhuna dhe ngacmimet në punë kanë qenë më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, pasuar nga Afrika.
“Është shumë e dhimbshme të dihet se njerëzit janë nënshtruar ndaj dhunës dhe ngacmimeve në vendet e tyre të punës jo një herë, por më shumë se një herë”, ka thënë në raport Manuela Tomei, Ndihmësdrejtoresha e Përgjithshme e ILO-së për Menaxhimin, të Drejtat dhe Dialogun.
“Midis vendeve, dhuna dhe ngacmimi psikologjik është më i zakonshmi, ndërsa gratë në veçanti i nënshtrohen dhunës seksuale”, ka theksuar Tomei./FolDrejt/