Samiti i Pragës i Komunitetit Politik Evropian (EPC) do të mbledhë së bashku 27 liderët e Bashkimit Evropian dhe 17 liderët nga kontinenti aktualisht jashtë klubit, duke përfshirë Britaninë, Turqinë, Norvegjinë dhe Ukrainën.
Macron dëshiron të përqafojë vendet kandidate për në BE që humbasin durimin në pritje të anëtarësimit në bllok dhe duke e bërë këtë, kundër përpjekjeve të Rusisë dhe Kinës për të fituar ndikim në skajet jugore dhe lindore të kontinentit.
“Një nga pikat është që të jemi në gjendje t’i tregojmë Kosovës dhe Shqipërisë se mund të bëjmë gjëra me ta dhe ata nuk duhet të mbështeten vetëm te Rusia dhe Kina për investime”, tha një zyrtar francez.
Macron shqetësohet se rruga e gjatë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE mund të dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nxitur populistët dhe euro-skepticizmin.
Francezët gjithashtu mendojnë se është e rëndësishme që të ketë një forum për të diskutuar sigurinë me Britaninë, fuqinë tjetër të madhe ushtarake të Evropës, apo energjinë me Norvegjinë, e cila po e ndihmon Evropën të largohet nga gazi rus, transmeton Klankosova.tv
Vendimi i Truss për të marrë pjesë në takimin e së enjtes i jep Britanisë një mundësi për të formuar një forum të ri evropian nga brenda pas Brexit.
Diplomatët thonë se qëllimi i EPC nuk është aspak i qartë dhe shumë dyshojnë se do të zgjasë, me kaq shumë armiq dhe miq rreth tryezës – edhe pse ai do të trajtojë çështje që i preokupojnë të gjithë, duke përfshirë energjinë, sigurinë dhe emigracionin.
Diplomatët evropianë thonë se iniciativa do ta sjellë gjithashtu presidentin turk Tajip Erdogan më afër Evropës dhe larg Rusisë.
Turqia hapi negociatat e anëtarësimit me BE-në 23 vjet më parë.