Një oficer policie është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm me thikë në Bruksel.
Dy oficerët u dërguan në spital pasi u sulmuan afër stacionit hekurudhor të Brukselit Veri të enjten në mbrëmje, shkruan BBC, transmeton Fol Drejt.
Mediat lokale raportojnë se edhe sulmuesi vdiq në spital pasi u qëllua në vendngjarje.
Nuk dihet motivi i sulmuesit, por zyrtarët antiterror thonë se kanë marrë përsipër hetimet.
“Ne morëm përgjegjësinë për rastin sepse ekziston dyshimi për një motiv terrorist, i cili do të konfirmohet ose kundërshtohet nga hetuesit”, tha zëdhënësi Eric Van Duyse.
Dy policët ishin në patrullë në zonë përpara se të sulmoheshin.
Policia thotë se një tjetër patrullë mbërriti në vendngjarje dhe “neutralizoi” sulmuesin. Ai u qëllua në këmbë dhe në bark përpara se të dërgohej në spital.
Një banor lokal i tha BBC-së se kishin dëgjuar “pesë ose gjashtë të shtëna” menjëherë pas sulmit, i cili ndodhi rreth orës 19:15 (18:15 GMT).
“Po vija nga puna dhe isha në telefon me babin dhe më pas dëgjova pesë apo gjashtë të shtëna armësh”, tha dëshmitari i quajtur Kremel.
“Babai më pyeti se çfarë po ndodh? Thashë se ndoshta është fishekzjarre. Ai më tha: “Jo, këto janë të shtëna me armë”. Ai më tha të kontrolloja se çfarë po ndodh. Pastaj ktheva kokën dhe pashë turmën që vraponte në rrugë për të parë se çfarë po ndodh, parkova makinën për të parë se çfarë po ndodh gjithashtu. Pashë burrin duke vdekur në tokë, pastaj unë pashë gjakun e kështu me radhë. Fillova të frikësohesha.”
Në një postim në Twitter duke dërguar ngushëllime për familjen dhe miqtë e oficerit të vdekur, Kryeministri i Belgjikës Alexander De Croo shkroi: “Policët tanë rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë. Drama e sotme e tregon edhe një herë këtë.”
“Shpresa ime e sinqertë është që kolegu i tij i shtruar në spital të jetë mirë”, shtoi ai.
Shiriti i policisë, rrugët e mbyllura dhe dritat blu ndezëse sjellin kujtime të këqija për Brukselin.
Ishte gjashtë vjet më parë, por Brukseli ende mban shenjat e një sulmi të koordinuar terrorist – në aeroportin kryesor dhe në metro – që vrau 32 njerëz në 2016./FolDrejt/