Të paktën një person ka vdekur dhe një tjetër është zhdukur në Greqinë qendrore, e cila është goditur rëndë nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, raportojnë mediat lokale.
Një person u përfshi nga vërshimi i ujërave në provincën e Volosit, ndërsa një tjetër, një blegtor 70-vjeçar, humbi jetën si pasojë e rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut në rajon, njoftoi transmetuesi publik ERT, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në Volos, ku u përmbyt edhe një spital, shumë drejtues mjetesh mbetën të bllokuar në makinat e tyre, ndërsa njësitë zjarrfikëse po punojnë intensivisht për t’i shpëtuar, ndërkohë që rrjeti i kanalizimit nuk ka mundur të thithë nivelin rekord të ujërave të shiut.
Ndërkohë, sekretariati i përgjithshëm i mbrojtjes civile u bëri thirrje banorëve të qyteteve të Selanikut, Volos, Larisa, Evia dhe Katerini që të jenë të kujdesshëm dhe të kufizojnë lëvizjet e tyre si masë paraprake ndaj rrezikut të përmbytjeve.
Ngjashëm me këtë, Observatori Kombëtar i Athinës ka këshilluar banorët e rajonit të Peloponezit jugor, rajonit të Epirit perëndimor dhe rajonit qendror të Atikës, i cili përfshin kryeqytetin Athinë dhe qytetin port të Pireut, të marrin masa paraprake pas parashikimit për shira të dendur të martën dhe të mërkurën./FolDrejt/