Prodhimi industrial i Gjermanisë ra ndjeshëm në mars, njoftoi sot zyra e statistikave, duke treguar rënie të mprehta në sektorët e automobilave dhe ndërtimit.
“Rënie e papritur e mprehtë”
Në muajin mars, prodhimi u ul me 3.4 për qind krahasuar me shkurtin, kur sipas të dhënave të rishikuara u rrit me 2.1 për qind, tregojnë të dhënat e Destatis. “Pas rritjes së mirë të prodhimit industrial në fillim të vitit, muaji mars solli një rënie të papritur të theksuar”, njoftoi Ministria e Ekonomisë, përcjell Fol Drejt.
Prodhimi i automjeteve dhe pjesëve të veturave ka shënuar rënie me 6,5 për qind, ndërsa prodhimi i makinerive dhe pajisjeve me 3,4 për qind. Destatis veçoi gjithashtu një rënie prej 4.6 për qind në ndërtim. Në tre muajt e parë të këtij viti, prodhimi ishte 2.5 për qind më i lartë se në tremujorin e fundit të 2022, njoftoi zyra e statistikave.
Industria po përballet me një periudhë të vështirë
Të dhënat për porositë e reja në muajin mars sinjalizojnë se industria po përballet me një periudhë të vështirë, duke gjykuar nga rënia prej 10.7 për qind e kërkesës në mars krahasuar me muajin e kaluar, më e madhja që nga viti pandemik 2020.
Në sektorin e automobilave, porositë e reja ranë në muajin mars me 12.2 për qind krahasuar me shkurtin dhe në sektorin e prodhimit të makinerive me 5.9 për qind.
“Prodhimi gjerman po ndjen gjithnjë e më shumë efektet e rritjes së normave të interesit në botë, të cilat po e frenojnë gjithnjë e më shumë ekonominë”, vëren ekonomisti i Commerzbank Ralph Solveen./FolDrejt/