“Kemi rënë dakord që delegacioni i Ukrainës të takohet pa parakushte me delegacionin rus në rajonin e lumit Pripyat në kufirin Ukrainë-Bjellorusi”, tha presidenti ukrainas, Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se një takim pa parakushte do të mbahet me delegacionin rus në kufirin bjellorus, shkruan AA.
Në një deklaratë nga mediat sociale, Zelensky dha informacione lidhur me bisedën e zhvilluar me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.
“Kemi rënë dakord që delegacioni i Ukrainës të takohet pa parakushte me delegacionin rus në rajonin e lumit Pripyat në kufirin Ukrainë-Bjellorusi”, deklaroi Zelensky, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar se Lukashenko ka dhënë garanci lidhur me sigurinë e delegacionit ukrainas në Bjellorusi, Zelensky tha: “Lukashenko ka marrë përsipër përgjegjësinë që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat në territoret e Bjellorusisë të qëndrojnë në tokë gjatë udhëtimit, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas”.
Edhe delegacioni rus konfirmoi takimin
Vladimir Medinsky, këshilltari i presidentit të Rusisë, i cili është kryetar i delegacionit rus që do të negociojë me Ukrainën tha se delegacioni ukrainas ka pranuar të negociojë në rajonin Gomel të Bjellorusisë.
Në një deklaratë për gazetarët në Gomel, Medinsky theksoi se afati i Rusisë deri në orën 15:00 për negociata me Ukrainën kishte përfunduar por që në këto minuta ka ardhur lajmërim nga Ukraina.
Delegacioni i Ukrainës dërgoi një njoftim, tha Medinsky i cili shtoi se “Negociatat do të mbahen në rajonin Gomel. Por, aktualisht po përcaktohet destinacioni. Do të zgjidhet një vend i logjikshëm ku do të sigurohet siguria maksimale e palës ukrainase në rajonin Gomel”.
“Pala ruse ka dhënë garanci 100 për qind për sigurinë e kalimit të delegacionit ukrainas në destinacionin në fjalë”, tha Medinsky duke shtuar se Moska është e gatshme të bisedojë me Kievin në çdo orë të ditës për të siguruar paqen./FolDrejt/