Një gjykatë provinciale në Mynih dënoi sot me burgim të përjetshëm një teknik mjekësor për vrasjen e dy pacientëve dhe tentativën për vrasjen e gjashtë të tjerëve.
“Detyra juaj ishte të ndihmonit me trajtimin dhe ju bëtë krejt të kundërtën”, tha presidenti i këshillit gjyqësor, Norbert Riedman, duke i shpjeguar verdiktin teknikut mjekësor 27-vjeçar.
Gjykata akuzon punonjësin shëndetësor se në vitin 2020 u ka dhënë qetësues pacientëve, gjë që ka sjellë vdekjen në dy raste, te pacientët e moshës 80 dhe 89 vjeç.
Në gjashtë raste të tjera, pacientët mbijetuan. Si motiv i vrasjeve, tekniku mjekësor ka deklaruar se “dëshironte të kishte qetësi” për të fjetur dhe për të luajtur lojëra në telefon.
Ndalimi i përjetshëm i punës në institucionet mjekësore
Gjatë gjykimit, i dënuari tha se nëse nuk do të zbulohej do të kishte “vazhduar të njëjtën praktikë”.
Në aktgjykim, trupi gjykues ka theksuar peshën e veçantë të fajit, që përjashton lirimin e parakohshëm gjatë vuajtjes së dënimit të përjetshëm, i cili në Gjermani është 15 vjet.
Gjykata ka rrëzuar kërkesën e avokatit që pas vuajtjes së dënimit ndaj të pandehurit të zbatohen masa të posaçme mbrojtëse për parandalimin e krimeve të mëtejshme, por ka vendosur ndalim të përjetshëm për të punuar në institucionet mjekësore./FolDrejt/