Duket e pabesueshme, por historia e Carlos Henrique Raposo është cilësuar si mashtrimi më i madh në botën e futbollit. Dikush që ka pasur një karrierë 26-vjeçare ku ka luajtur gjithsej 34 ndeshje, vetëm dy-tre prej tyre që nga minuta e parë dhe asnjë të plotë për 90 minuta. Por e vërteta është se ai ka arritur të nënshkruaj me disa skuadra të mëdha si Botafogo, Flamengo, Fluminense, Vasco da Gama dhe shumë ekipe të tjera në Meksikë, SHBA e Francë.
Kjo histori ka ndodhur rreth 30 vite më parë dhe është zbuluar vetëm në 2006-ën nga televizioni brazilian “Rede Globo”. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Kaizer”, një ‘mashtrues i madh’ që i bëri të gjithë në Brazil dhe jo vetëm të besonin se ai kishte aftësi të mëdha për të luajtur futboll.
Ai thotë se ka qenë edhe në përbërjen e skuadrës së Indipendiente që fitoi Kupën Libertadores në vitin 1984, por siç do ta shohim më poshtë kjo nuk është e sigurt. Ka shumë pjesë të turbullta në këtë histori të jashtëzakonshme, duke nisur nga referencat kohore, por ka edhe shumë episode të vërteta. Carlos kishte një fizik të shkëlqyer, sportist i vërtetë. Thoshin se ngjasonte me Beckenbauer dhe nga këtu lindi epiteti “Kaizer”.
Pjesën tjetër e shpiku vetë! Kishte një aftësi të jashtëzakonshme që i bënte për vete njerëzit. Ishte shok me të gjithë futbollistët e famshëm brazilianë të asaj epoke dhe sigurisht që ishte mik me gazetarët që gjithmonë flisnin mirë për të. Dhuronte fanella, organizonte darka. Jo vetëm kaq, gazeta “Mais Futebol” shkruan se kur ekipi kishte ndeshje jashtë fushe ai prenotonte disa dhoma dhe organizonte “hareme”.
Por historia nuk është vetëm kaq. “Kaizeri”, që përdorte telefonat e parë celularë të shpikur nga njerëzimi, shtirej sikur fliste me menaxherët e skuadrave më të famshme në Europë. “Jo president nuk mundem. E di që të luash në “Bernabeu” do të ishte diçka fantastike, por unë jam i lumtur këtu.” Shpesh herë këto telefonata i bënte anglisht.
Ose më saktë, shpike fjalë! Por një ditë, një përgatitës i Fluminense e zbuloi. Ndërsa nuk është kuptuar ende se në cilat prej ekipeve ndodhi momenti kur celulari i ra nga dora dhe të gjithë e panë që ishte vetëm një lodër.
Ka pasur shumë raste kur miqtë e tij të rëndësishëm në futboll, në momentin që vendosnin të ndryshonin ekip, i vinin si kusht drejtuesve të klubit edhe blerjen e Carlos Henrique Raposo, i cili i bënte për të qeshur. Në këtë mënyrë, “Kaizer” e nisi karrierën te Botafogo, ku eksperimentoi “mashtrimin e madh”, që do ta bënte unik në botën e futbollit. Në stërvitjet e para shpikte një tërheqje muskulore dhe pastaj shkonte në infermieri si i dëmtuar. Në sezonin e tij të parë si profesionist nuk luajti asnjë minutë. Të tjerët e besonin se ishte i dëmtuar me të vërtetë, sepse atëherë nuk kishte rezonancë magnetike,që ta zbulonte shkallën e dëmtimit.Misterioz ishte edhe kalimi i tij te Flamengo, një vit më pas. Edhe te skuadra kuqezi ai nuk luajti asnjë ndeshje, asnjë minutë, por u bë i famshëm për mënyrën si i kalonte mbrëmjet në Rio. Nga atje shkoi në Meksikë te Puebla dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te El Paso. Më pas shkoi të luante te Bangu, ku shënoi edhe golin e tij të vetëm në 26 vitet e karrierës si profesionist. Shumë pak për një sulmues.
Një gazetar i kohë, ndoshta një nga ata që merrni pjesë në festat e “Kaizer”, shkruante në gazetën e tij: “Bangu ka gjetur mbretin e ri”. Nuk është e qartë nëse ka ndodhur para apo pas golit ajo që konsiderohet si ngjarje e mrekullueshme. “Ndeshja po luhej dhe trajneri më tha se e kishte marrë në telefon presidenti dhe duhet të aktivizohesha, – tregon braziliani. – Isha i terrorizuar.
Gjatë nxehjes një tifoz më ofendoi për shkak të flokëve të gjata. Ishte idealja për mua. Fillova të zihem me të. Gjyqtari më nxori me karton të kuq përpara se të futesha në fushë. Shpëtova!”Gjithsesi, drejtuesit dhe stafi teknik i Bangu kishte vënë re diçka, por në dhomat e zhveshjes “Kaizeri” u tregua edhe një herë në lartësinë e situatës. “Zoti më dha një baba dhe pastaj ma hoqi, – i tha ai trajnerit. – Tani më ka dhënë ty. Ai tifoz po të ofendonte dhe unë nuk mund ta toleroja.” Trajneri e puthi në ballë dhe drejtuesit i rinovuan kontratën edhe për gjashtë muajt e ardhshëm.
Pastaj “Kaizer” shkoi te Vasco de Gama dhe te Fluminense, ku sipas të dhënave në Federatën Braziliane të Futbollit luajti 15 ndeshje. Më pas e vazhdoi karrierën në SHBA dhe në kategorinë e dytë të Francës te Ajaccio, shkruan telesport.
Në ditën e prezantimit në Korsikë kishte rreth 1 mijë tifozë në stadium. “Hyra në fushë dhe atje ishin të gjithë shokët e skuadrës dhe disa topa futbolli. Mora fund, mendova. Tani do të më duhet të stërvitem përpara të gjithëve.” Por ai ishte gjeni për të dalë nga situata të tilla. Carlos u mbulua i gjithë me flamurin e ekipit dhe nisi të godasë topat drejt tribunës për t’ia dhuruar tifozëve. Pas një minute ai ishte heroi i tifozerisë franceze, por stërvitja nuk u zhvillua sepse nuk kishte më topa.
Nga Ajaccio ai thotë se shkoi te Independiente ku fitoi Kupën Libertadores, por në selinë e klubit argjentinas konfirmojnë se nuk e njohin këtë “Kaizerin”. Shoku i tij Ricardo Rocha, mbrojtës kampion bote në vitin 1994, deklaroi: “Në një garë gënjeshtrash, Kaizeri do të fitonte edhe ndaj Pinokut.” Vetë braziliani është krenar: “Shumë futbollistë të rinj mashtrohen nga klubet e futbollit. Unë mora hakun e tyre.”