Instituti Mbretëror i Monedhave në Britaninë e Madhe publikoi të enjten monedhën më të madhe në botë.
Instituti, që ka një histori 1 mijë e 100-vjeçare, nuk ka prodhuar kurrë më parë një monedhë të përmasave të tilla, që peshon mbi 10 kg.
Bëhet fjalë për copëzën përfundimtare të serisë së monedhave përkujtimore të mbretëreshës, e frymëzuar nga 10 statujat prej guri që përshkruajnë udhëtimin e monarkes në Westminster Abbey, gjatë kurorëzimit të saj në vitin 1953.
“Dizajni pasqyron 10 bishat e serisë së bishave të Mbretëreshës, që janë prodhuar në institucionin tonë e që në qendër ka profilin e madhërisë së saj. Të dyja janë të lidhura sepse bishat prej guri u rreshtuan në Westminster Abbey gjatë kurorëzimit të saj”, u shpreh Paul Morgan, menaxher i Institutit Mbretëror të Monedhave.
Monedha, me një diametër prej 20 cm, u krijua nga një ekip zanatçinjsh që punuan si me teknikat artizanale, ashtu edhe me teknologjinë e kohëve të fundit.
“Kjo monedhë që peshon 10 kilogramë është një objekt unik, që kombinon si traditat artizanale, ashtu edhe procesin teknologjik. Dhe pa bërë bashkë këta dy faktorë ne nuk do të kishim qenë në gjendje të prodhonim këtë lloj monedhe”, tha më tej ai.