Vetëm disa ditë pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, njoftuan vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportave, Madridi deklaroi të hënën se qytetarët Kosovës do të hasnin në probleme po të vizitonin ligjërisht Spanjën dhe vendet e tjera të zonës Shengen që nuk e njohin pavarësinë, nëse nuk do të vendosej njohja e pasaportës.
“Të gjitha shtetet e Shengen që nuk e njohin [Kosovën] e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme spanjolle, Elena Aljarilla Cortezon.
Sipas saj, Spanja e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë, “si një mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kërkon ta kufizojë ndikimin e saj tek qytetarët”.
Spanja, së bashku me Greqinë, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë, si shtete anëtare të BE nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, të gjitha këto shtete pranojnë dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.