Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, e pranoi që procesi i njohjeve ka ngecur dhe se ka pasur ngadalësim, por që janë duke punuar me një format më sistematik dhe se për ta momentalisht është më e rëndësishme njohja nga pesë shtetet mosnjohëse, anëtare të BE-së.
Sipas saj, nëse ato na njohin, kjo do t’i kishte dhënë një përfundim iluzionit serb për ndryshim të kufijve dhe kërkesave të tjera të tyre, e po ashtu edhe do të na kishte hapur rrugë të kandidimit për anëarësim në BE.
Fokusi tjetër i kësaj ministrie thotë se janë edhe vendet spanjisht folëse.
“Po i bëjmë analizat specifike. Në të kaluarën nuk është se i është dhënë shumë rëndësi Amerikës Latine. Në kuadër të Ministrisë së Jashtme janë katër diplomatë që e flasin spanjishten. Elementi tjetër ka të bëjë me fokusin që i kemi dhënë regjioneve, pra ne e mbulojmë Amerikën Latine nga Panamaja. Gjithashtu rëndësi të veçantë kanë dhënë xhudistët tanë me medaljet e tyre të fituara në Azi, duke e vendosur Kosovën në hartë”, deklaroi Gashi.
Në kuadër të debateve të organizuar nga Lëvizja FOL, zëvendësministrja tha se janë duke punuar edhe për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe se po bëjnë plane në të gjitha hapësirat ku mund të depërtojnë.
“Janë disa hallka të angazhimit para se ta dorëzojmë aplikimin. Në të kaluarën Kosova shumë shpesh nuk i ka lëvizur të gjitha hapat në mënyrë të koordinuar dhe kemi përfunduar ne fiasco total”, përfundoi Gashi.