Kryeministri Albin Kurti ka thënë qartë dhe shkurt se ideja e shkëmbimit të mundshëm të një krimineli që ka dosje 15 vjeçare për vepra penale, me policët, nuk vjen në shprehje. Sipas tij Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë kompromise të këtij lloji, shkruan Fol Drejt.
Këto deklarata Kryeministri Kurti i dha gjatë konferencës së sotme për shtyp.
“Ne kemi një kriminel serb të arrestuar si ‘Llune’, i cili nuk është bërë kriminel as më 26 e as më 29 maj, por ka dosje të veprave penale e të krimeve të kryera në Kosovë. Në Kosovë ka sundim të ligjit, arrestimi i ‘Llunes’ i ka hedhur në panik gjithë serbët, ata nuk kanë besuar se dikush si ‘Llune’ mund të arrestohet, është paniku i kriminelëve.”
Më tutje Kurti tha se opsioni i shkëmbimit, nuk vjen në shprehje:
“Ne nuk bëjmë pazare, te ne ka sundim të ligjit, nuk di që Beogradi ka kërkuar, por nuk e di pse e kërkoni, nuk keni nevojë të paraqitni një kërkesë të Beogradit karshi Republikës së Kosovës. Ne jemi vend demokratik dhe i lirë. Kosova është vendi me lirinë më të madhe në rajon, kur të flisni mos flisni në emër të Beogradit duke imagjinuar kërkesat e tyre më vonë, sepse nuk i kontribuoni lirisë së mediave”, tha Kurti.
Të njëjtin qëndrim pak a shumë e mbajti edhe ministri Sveçla:
“Shkëmbim mes kujt? Tre shtetasve tanë që përfaqësojnë ligjin dhe një shtetasi tanë i cili është kriminel sipas një dosje minimumi 15-vjeçare të arrestuar.”/FolDrejt/