Aktvendimi i një viti më parë i Gjykatës Themelore në Prishtinë ku ia ndalon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që në faturat e qytetarëve të mos përfshihen humbjet e energjisë elektrike në veriun e Mitrovicës ka sjell paqartësi se kush po i mbulon këto shpenzime tash e 15 muaj.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe zyra e Avokatit të Popullit shprehen të sigurt se qytetarët nuk paguajnë më, ndërkohë që deklarojnë se kanë informata se rrymën serbëve të veriut është duke ia paguar zyra e BE-së në Kosovë. Por këto informata janë mohuar nga këta të fundit.
Është Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së e cila tha se pagesat që qytetarët këndej urës së Ibrit kanë bërë deri më tani janë ndërprerë ndërsa ka informacione zyrtare nga ZRRE-ja se tash e 1 vit Bashkimi Evropian është duke i mbuluar ato shpenzime.
Sipas saj, faturimi i qytetarëve për vite të tëra për humbjet në veri ka qenë padrejtësi e madhe.
Njëjtë si Haxhiu mendojnë edhe nga zyra e Avokatit të Popullit, e cila e kishte paditur ZRRE-në pikërisht për këtë çështje.
Drejtoresha e Departamentit për çështje Juridike në këtë zyrë, Suzana Gashi u shpreh se kanë informacione jo të sigurta që Rrjeti Evropian i Energjisë është duke i paguar këto shpenzime.
Gashi thotë se ndalja e faturimit të qytetarëve për humbjet në veri, nuk ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, por nga vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili ka vendosur në favor të Avokatit të Popullit dhe duhet të respektohet.
Në anën tjetër pohimet e deputetes së AAK-së dhe zyrës së Avokatit të Popullit i hedhin poshtë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zyrtarë për informim të kësaj zyreje nëpërmjet një përgjigje elektronie kanë thënë se instrumenti për asistencë nuk mund të përdoret për t’i financuar shpenzimet e një ndërmarrje.
Sipas tyre, asistenca e BE-së është e dizajnuar për t’i ndihmuar përfituesit të përgatiten për integrim ne BE, bazuar në strategji afat-mesme sektoriale.
Ndërsa i është bërë thirrje Kosoës dhe Serbisë që të zbatohet marrëveshja e energjisë dhe marrëveshjet e tjera pa u vonuar më tepër.
“Instrumenti për asistencë para anëtarësimit (IPA) nuk mund të përdoret për t’i financuar shpenzimet e një ndërmarrjeje publike. Asistenca e BE-së është e dizajnuar për t’i ndihmuar përfituesit të përgatiten për integrim ne BE, bazuar në strategji afat-mesme sektoriale të cilat i kemi planifikuar dhe janë duke u zbatuar ne koordinim të afërt me autoritetet kosovare. Fokusi duhet te jetë ne zbatimin e marrëveshjes së energjisë si mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. BE pret që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjithë marrëveshjet e arritura pa u vonuar me tepër.”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Edhe Zyra e Rregullatorit për Energji, janë shprehur se nuk kanë informacione se humbjet në Mitrovicën e veriut po mbulohet nga nga BE-ja.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Adelina Murtezaj-Bajrami përmes një përgjigje nëpërmjet postës elektronike ka thënë për KosovaPress se prej vitit 2017 qytetarëve nuk iu janë faturuar kostot e humbjeve në veri, dhe për këtë sipas saj është vendosur që këto humbje mos të pranohen si pjesë e të hyrave.
Por, një informatë të ngjashme nuk e ka edhe deputetja nga Vetëvendosje.
Si anëtare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku është edhe deputetja Haxhiu, Saranda Bogujevci, thotë se zyrtarisht si komision nuk kanë asnjë informacion se kush është duke paguar për humbjet në veri të Mitrovicës.
Nga Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut janë hedhur akuza të shumta drejt ZRRE-së duke konsideruar se kjo e fundit ka përgjegjësi penale për gjithë abuzimin që është bërë deri më tash me buxhetin e qytetarëve.
Drejtori i KMDLNJ Behxhet Shala thotë se jo vetëm që nuk duhet t’iu faturohet qytetarëve humbjet në veri që ndodhin, mirëpo duhet të kompensohen për 15 vitet që i kanë mbuluar ato humbje pa qenë të vetëdijshëm.
Sa i përket se kush është duke paguar tash e 1 vit, ai tha se nuk kanë ndonjë informacion.
Ndryshe, deri në dhjetor të vitit 2017, mos pagesa e energjisë elektrike të qytetarëve serbë të Mitrovicës së veriut iu ka faturuar qytetarëve të tjerë pagues të rregullt, e cila ka shkuar deri në 8 milionë euro në vit.