Shefi i Mbrojtjes i Gjermanisë po paralajmëron se Rusia ka për qëllim të hapë një front të dytë lufte, në përpjekjen e saj për të kapur më shumë terren në Ukrainë.
Gjenerali Eberhard Zorn, ushtari i rangut më të lartë në Bundeswehr, thotë se Perëndimi nuk duhet të nënvlerësojë fuqinë ushtarake të Moskës.
“Pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse mund të jetë e lidhur në Ukrainë për momentin, por, edhe pse kështu, ne nuk duhet të nënvlerësojmë potencialin e forcave tokësore ruse për të hapur një teatër të dytë lufte”, tha ai për Reuters, përcjell Klankosova.tv
“Shumica e marinës ruse nuk është vendosur ende në luftën kundër Ukrainës dhe forcat ajrore ruse kanë ende një potencial të rëndësishëm, i cili përbën një kërcënim edhe për NATO-n”.
Zorn, duke folur para fillimit të një ofensive ukrainase në jug, tha se dinamika e sulmit të Rusisë ishte ngadalësuar, por forcat e saj ishin ende duke ecur përpara.
Megjithatë, ai tha se nuk parashikon ndonjë ofensivë me ndikim të gjerë thellë në territorin e mbajtur nga ukrainasit për momentin.