Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia.
Kështu deklaroi në një intervistë për Reuters, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa foli për masën e reciprocitetit me targat që pritet të nisë më 1 shtator, njofton Klankosova.tv.
“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.
“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej… mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha Kurti.
Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u ndezën sërish në fillim të këtij muaji kur Prishtina tha se do të detyronte serbët që jetojnë në veri, të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës, të fillojnë të përdorin targat e lëshuara në Prishtinë.
Siç shkruan Reuters, situata u qetësua pasi Kurti, nën presionin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, pranoi të shtynte rregullimin e targave të makinave deri më 1 shtator dhe paqeruajtësit e NATO-s mbikëqyrën heqjen e postblloqeve të vendosura nga serbët.
Serbët përbëjnë 5 për qind të popullsisë 1.8 milionëshe të Kosovës, që është 90 për qind shqiptarë.
Rreth 50,000 prej tyre jetojnë në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë. 40,000 të mbetur jetojnë në jug të lumit Ibër dhe janë duke përdorur targa të lëshuara nga qeveria e Kosovës.
Serbia mohon ngritjen e tensioneve dhe konfliktit në Kosovë, duke akuzuar Prishtinën për shkeljen e të drejtave të pakicave serbe.