Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, kanë paralajmëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se në një moment të dytë mund sanksionohet nëse nuk sigurohet prania e dëshmitarit të radhës menjëherë pasi përfundon dëshminë një dëshmitar.
“Ky është një paralajmërim i parë i ZPS-së, një shkelje e dytë do të konsiderohet, do të shqyrtohet pastaj për marrje sanksionesh”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, gjatë seancës së sotme ka përfunduar dëshminë dëshmitari i nëntë (me kodin 01602) dhe gjykatësi Smith ka thënë se “nuk paskemi dëshmitar tjetër për sot, kështu që pas pak dua të flasim për këtë”.
Sipas gjykatësit Smith, urdhri për zhvillimin e procesit thotë që është përgjegjësi e palëve që të sigurojnë që në përfundim të dëshmisë së një dëshmitari, të ketë dëshmitar gati në rend për të filluar dëshminë.
Tutje, ai tha se nëse një prej dëshmitarëve të propozuar nuk është në gjendje që të dëshmojë sipas kalendarit apo nëse nuk ka kundra-pyetje për dëshmitarin apo nëse kundra-pyetjet zgjasin më pak nga që pritej, pala thirrëse duhet që të sigurojë që të ketë një dëshmitar alternativ të gatshëm për ta thirrur, në mënyrë që të mos ketë vonesë në procedurë.
Po ashtu, ai tha se vetëm dëshmitarët e njoftuar sipas procedurës përkatëse mund të thirren të jenë në gatishmëri, në përjashtim të rasteve kur është marrë miratimi i gjykatësve, duke shtuar se dihet se nuk ka një përjashtim nga ky urdhër.
“Në këtë moment të gjykimit, vetëm një organizatë është përgjegjëse për të thirrur dëshmitarët dhe për t’u kujdesur për pjesëmarrjen e tyre dhe kjo është ZPS-ja”, tha tutje gjykatësi Smith.
Ai tha se të gjithë këta njerëz dhe katër të akuzuarit të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, janë në pritje të dëshmitarit të radhës në mënyrë që kohën ta përdorin në mënyrë të përgjegjshme.
Më tej, ai tha se ky trup gjykues e ka marrë shumë seriozisht përgjegjësinë e vet për të mbrojtur të drejtat e të akuzuarve për një gjykim të shpejtë dhe të drejtë.
“ZPS ka bërë shkelje të drejtpërdrejtë të urdhrit të trupit gjykues sa i takon zhvillimit të procedurës”, tha gjykatësi Smith.
Andaj, sipas tij, në një moment tjetër të një shkeljeje të tillë, do të shqyrtohet për marrje sanksionesh.
Andaj, seanca e radhës për këtë çështje gjyqësore do të vijojë më 19 qershor 2023, në ora 09:00 dhe transmetimi i saj për publikun si gjithnjë do të nis me 45 minuta vonesë.
Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve, edhe sot vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të nëntë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, ka nisur seanca e së enjtes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila seancë do vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të nëntë (me kodin 01602).
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se sot do të përfundojë dëshminë dëshmitari i nëntë dhe do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sot do të përfundojmë dëshminë e dëshmitarit të prokurorisë 01602, pas të cilit do dëgjojmë dëshminë e dëshmitarit me numër 03540”, tha gjykatësi Smith.
Ndryshe, siç është paralajmëruar në seancën e djeshme, të akuzuarit tjerë janë të pranishëm në sallën e gjyqit, përveç Krasniqit, i cili është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.
Seanca ka vazhduar menjëherë në sesion privat.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, në të cilën seancë nisi dëshminë dëshmitari i nëntë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.