Komunat e Kosovës janë të gatshme për nisjen e procesit të vaksinimit dhe po presin shpërndarjen e vaksinave nga niveli qendror në atë lokal, ndërkohë që nuk do të ketë masa të reja kundër COVID-19, por vetëm zbatim rigoroz të masave aktuale.
Kështu u tha sot në takimin virtual të Komitetit antiCOVID, i thirrur nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, me kryetarët e komunave.
Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se kryetarët e komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk janë për kthimin e masave të vitit të kaluar, për shkak të gjendjes me pandemi.