Tragjedia e familjes Lala në Kënetë të Durrësit ka prekur të madh e të vogël në Shqipëri. Terëmeti që goditi Shqipërinë ka shkaktuar dëme të mëdha sidomos në Durrës, Tiranë e Krujë dhe një numër të lartë viktimash.
Një dhimbje që nuk njeh kufi, ku të afërm familjarë, por edhe shumë të panjohur përcjellin në banesën e fundit anëtarët e familjes Lala.
Një tragjedi që i kalon kufijtë për të afërmit e tyre por edhe për çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit që këto ditë jetoi çdo minutë me ankthin e tyre. 8 anëtarë të familjes Lala do të dalin sot para syve të të afërmve e qytetarëve të Durrësit, për të mos u kthyer më kurrë.
Ditën e sotme po zhvillohen homazhe për viktimat e familjes Lala, në Durrës nga Pallati i Kulturës.
Në ceremoni ndodhen kryeministri Rama dhe Presidenti Meta.
Puna për shpëtimin e familjes Lala nisi që në orët e para të mëngjesit duke nxjerrë prej aty vetëm Ramë Lalën.
Ndërsa punohej, nga brenda vinin zëra duke lënë të kuptohej se kishte ende të gjallë, por ndërtesa u shemb sërish duke mbytur edhe zërat.
Pavarësisht kësaj, ekipet e shpëtimit punuan natë dhe ditë për të nxjerrë pjestarët e familjes Lala.
Fatkeqësisht, pas shembjes së dytë asnjëri prej tyre nuk u nxorr i gjallë.
Ata ishin 12 persona në familje dhe tani gjallë kanë mbetur dy djemtë e Sadete Lalës, bashkëshortja e njërit prej tyre si edhe Ramë Lala.
Viktimat e familjes Lala
Sadete Lala
Ilir Lala
Griselda Lala,
Marjeta Lala
Emilio Lala
Amelia Lala
Dionis e Dionisa Lala.