Njoftimi i IAEA-s erdhi menjëherë pas postimit të ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba në Twitter se në central ka shpërthyer një zjarr pas sulmeve ruse.
Zjarri në termocentralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, nuk rrezikoi pajisjet themelore, bëri të ditur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), duke cituar burime lokale, shkruan AA.
IAEA tha se nuk është zbuluar “asnjë ndryshim” në nivelin e radioaktivitetit në termocentralin Zaporizhzhia, ku shpërtheu një zjarr pas granatimeve ruse.
Njoftimi i IAEA-s erdhi menjëherë pas postimit të ministrit të jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në Twitter se në central ka shpërthyer një zjarr pas sulmeve të ushtrisë ruse, transmeton Fol Drejt.
“Ushtria ruse po qëllon nga të gjitha anët në centralin bërthamor në Zaporizhzhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë. Zjarri tashmë ka shpërthyer dhe nëse eksplodon, do të jetë 10 herë më i madh se ai i Çernobilit”, ka thënë Kuleba.
Ukraina të enjten njoftoi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se tanket dhe këmbësoria ruse ndodhen pranë qytetit Enerhodar, disa kilometra larg termocentralit bërthamor Zaporizhzhia.
Termocentrali Zaporizhzhia u ndërtua në vitin 1985 gjatë periudhës sovjetike dhe ka 6 reaktorë dhe siguron pjesën më të madhe të energjisë elektrike të vendit.
Ndërkohë, Ukraina njoftoi se zjarrfikësit arritën të shuajnë zjarrin në termocentralin bërthamor dhe se Rusia ka marrë nën kontroll zonën e termocentralit bërthamor./FolDrejt/