Mbi 20 fëmijë të lagjes Bardhi të fshatit Bllacë janë të vetmit që përveç librave dhe fletoreve, në çantën shkollore mbajnë edhe pasaportën e udhëtimit. Kjo për shkak se janë të detyruar të arsimohen në Kosovë pasi në vendbanimin e tyre nuk ka shkollë fillore më shumë se një dekadë.
“Unë kisha pas dëshirë me mësua këtu se kur po shkojmë në Kosovë është shumë larg, po duhet me udhëtua në këmbë”, tha Hirmete Bardhi, nxënëse e klasës së katërt.
“Për me shkua në shkollë e kemi vështirë, dimrit është ftohtë, pak lodhemi por duhet me shkua”, u shpreh Semra Sherfi, nxënëse e klasës së katërt.
“Në cilën klasë je? E para. A është vështirë për ju çdo ditë me kalua këtë rrugë? Po, ftohtë është dimrit”, tha Isuf Sherifi, nxënës i klasës së parë.
“U zgjat tepër, thonë vitin e ardhshëm, vitin e ardhshëm, asnjë vit nuk është duke u bë, Gjynah është shumë, dimër I ftohtë bën, prindërit dalin dhe I presin te kufiri se errësohet”, u shpreh një banor i fshatit Bllacë.