Lajmi për largimin e Shqipe Mjekiqit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, është dhënë ditë më parë, por ajo sot i ka treguar arsyet se pse e ka ndërmarr këtë vendim, shkruan Fol Drejt.
Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, Mjekiqi ka shkruar se një ndër arsyet ka qenë edhe mungesa e hapësirës së veprimit.
Megjithatë, përkundër këtij “divorci” politik ajo ka thënë se vazhdon të mbetet “me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.”
Ky është postimi i saj i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të martën, më 14 mars 2023, kam dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mundësinë për të shërbyer në strukturat e larta e morra si besim dhe konfirmim për vullnetin e mirë drejt ndryshimeve thelbësore.
Fatkeqësisht, hapsira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kisha. Për më tepër, përpjekjet për të ndryshuar këtë nuk patën sukses.
Vazhdoj të mbetem me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Falënderoj nënkryetarët tjerë, anëtarët e Kryesisë si dhe gjithë strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen. Poashtu, falënderoj familjen time dhe miqtë e shumtë pa përkrahjen e të cilëve ky rrugëtim, sado i shkurtër, do të ishte i pamundshëm.