Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti rrekej t’i mbronte vendimet e tij, si kryenegociator, për pranimin në parim të marrëveshjeve të fundit me Serbinë, të pafundme janë videot që qarkullojnë këtu e sa ditë për t’ia kujtuar atij se ç’pozicion mbante dikur ndaj Asociacionit, të cilin së fundmi tha se e ka pranuar.
Nga Imer Topanica
Vetëm dy javë më parë, ai e siguronte opinionin se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk do të kalojë:
«“Zajednica” ka kalu ktu në kuvend. “Zajednica” nuk kalon, “Zajednica” nuk ka kalu në gjykatë, “Zajednica” nuk ka kalu në popull, “Zajednica” nuk kalon as në Kryeministri e në Qeveri, po këtu te ju ka kalu!»
S’është e nevojshme të gjurmohet në të kaluarën e tij politike jo të largët, për ta risjellë në vëmendjen e opinionit diskursin e tij të ashpër kundër këtij instrumenti politik i cili i fuqizon edhe më tej serbët e Kosovës, sepse rrjetet sociale janë mbushur me deklarata të tilla.
Por proceset janë të pakthyeshme, andaj në këto rrethana gjeopolitike nuk mund të paramendohet një qëndrim rigoroz i Kosovës karshi Asociacionit – na thonë apologjetët. E vërtetë, por këtë nuk e thoshte vetë kryeministri para dy javësh. Në prononcimet e tij për media, në fjalimet e tij në kuvend, ishte aq bindës rreth çështjes në fjalë, duke përsëritur: S’ka Zajednicë, s’ka Asociacion!
A nuk e dinte ai para se të bëhej kryeministër se marrëveshjet e 2013-tës dhe 2015-tës nuk mund të zhbëheshin?
A nuk e dinte ai që “Zajednica” megjithatë, nuk kishte vdekur?
A nuk e dinte që variacionet e Asociacionit pa kompetenca ekzekutive, megjithatë, mund të përpihen?
Ndoshta edhe nuk e ka ditur se si duket trysnia ndërkombëtare?
E keqja është, më tha një ish këshilltar politik i një ministrie se «politikanët e Kosovës po duhet t’i arrijnë pozitat udhëheqëse, për të mësuar se çka në të vërtetë nënkupton qeverisja, pushteti, politika dhe diplomacia».
E dimë si janë rritur politikanët tanë, plot prej tyre refuzuan Rambujenë, por më vonë e nënshkruan. Plot prej tyre i refuzuan bisedimet me Serbinë, por më vonë ato i hapën. Plot prej tyre e refuzuan votimin e Gjykatës Speciale, por ajo më vonë u bë. Pra erdhën në pushtet, për ta mësuar se çfarë është në të vërtetë ai.
Ende nuk e kemi parë “Frankeshtajnin”?
Thuhet se Kryeministri Kurti ka pranuar versionin e një Asociacioni pa kompetenca ekzekutive, por ende nuk e dimë nëse ai do të jetë një mekanizëm politik i fuqizuar me duart tona, pra që nuk do t’i jap llogari asnjë institucioni, duke gëzuar kësisoj një pavarësi të plotë.
Në janar të këtij viti qarkulloi një draft i statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili i atribuohej Fondacionit për demokraci sociale Friedrich-Ebert-Stiftung që vepron edhe në Kosovë. Sipas këtij draft statusi, Asociacionin nuk do të mund ta shfuqizojë askush, veç vetvetes:
“Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Kuvendit, të miratuar me 2/3 e shumicës së anëtarëve të saj.”; – thuhej ndër të tjera në këtë draft status. Ende askush nuk e di nëse kjo fuqi i është zbehur, meqë ende nuk është miratuar statusi i tij final. Por çka nëse do të parashihej kështu me status? Kjo, pastaj nesër, do t’ua krijonte komoditetin serbëve për të vendosur për veten: nëse duan të qëndrojnë me Kosovën apo t’i bashkohen Serbisë. Mbase!
Të fshehtat e tjera
Ndoshta Kryeministri Kurti ka marr garanci të forta ndërkombëtare, sipas së cilave, Asociacioni nuk do t’ia cenojë Kosovës integritetin territorial. Ndoshta serbët ultranacionalistë të Kosovës, do të shtrohen e të vihen në binarë për do kohë, por kush na garanton që në të ardhmen ata nuk do ta shfrytëzojnë këtë instrument politik, për egot e tyre nacionaliste?
Lufta ruso – ukrainase na favorizoi neve shqiptarëve, meqë Serbia druhej të merrte anë, duke u përpjekur të shfaqej neutrale në sipërfaqe, por në brendi duke i ruajtur lidhjet e forta me rusët. Siç thoshte gazetarja dhe opinionistja serbe Snežana Čongradin, qëllimi i Perëndimit nuk ishte heqja qafe e një diktatori nga populli serb, e as demokratizimi i Serbisë, por «çlirimi i saj nga ndikimi rus.»
Rënia e Kurtit
Kuptohet që mbështetja masive ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! që ia siguroj asaj 50.28% të votave para dy vitesh, nuk erdhi vetëm si rrjedhojë e qëndrimeve të artikuluara nëpërmjet liderit të saj, për sa u përket bisedimeve me Serbinë. Krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi po e ngufatnin jetën e qytetarit tonë, prandaj revolta e këtij të fundit bëri që të përmbysej, si askund tjetër, e tërë skena politike kosovare: duke i kthyer në opozitë ata që dikur ishin në pushtet.
«Sipas të gjitha matjeve të opinionit, dialogu me Serbinë nganjëherë janë prioriteti i gjashtë e ndonjëherë i shtati. Kurrë s’janë tri të parat. Unë duhet t’i përgjigjem qytetarëve!» – pat thënë ai në një emision televiziv në vitin 2021. Por s’do mend se tani procesi i dialogut, pikërisht me qeverinë Kurti, u kthye në prioritetin numër 1.
Për “optimistët kronikë” ku rreshtohem edhe vetë, heqja e një barre nga kurrizi i Kosovës, dhe hapja e një perspektive evropiane për popullin e saj, është një fillim shpresëdhënës. Ky optimizëm vjen veç tjerash edhe për faktin se narrativa në Serbi e politikanëve nacionalistë/ shovenistë, se «do ta mbrojnë Kosovën, “zemrën” e Serbisë!», do të vdes për do kohë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se Kurti nuk duhet të ndëshkohet. Ai i ka shkelur premtimet e tij andaj meriton të katharsis politik si të gjithë paraardhësit e tij./FolDrejt/