Kryetarja e Alternatives, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas ftesës që presidenti i vendit, iu ka bërë partive politike në vend, ndërsa Kusari-Lilën nuk e ka ftuar.
Kusari-Lila, që është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se “nëse Presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumëherë tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo”.
Statusi i plotë i saj:
Sot e kuptova se Presidenti i vendit nuk e konsideron të denjë zyrtarisht një grua Kryetare të partisë Alternative, ish – zv/Kryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët. Nëse Presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumëherë tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo. Nuk e di se çfarë mund të ishte aludimi i tyre për këtë mosftesë, por duke e ditur se gjithmonë sigurohen të jenë të “mbuluar me letra”, i këshilloj të verifikojnë në KQZ kënd e përfaqësoj unë.
Ashtu sikur edhe shumë raste tjera në Kosovë, kjo situatë e tregon hipokrizonë e retorikës për gjithëpërfshirje të grave në jetën politike nga Presidenti i vendit.
Alternativa është parti e re, ende e vogël, por ndikimin në raste të caktuara mund ta ketë tepër të madh për ndryshimet në Kosovë.
Ky postim nuk e paragjykon pjesëmarrjen apo mos pjesëmarrjen time në ftesën eventuale. Ky reagim ka për qëllim të tregojë gabimin e kabinetit dhe të Presidentit për trajtimin e gruas në politikën Kosovare.