Raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2018 nuk është votuar në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, pasi që ky Agjencion nuk ka arritur ta plotësojw raportin me të dhënat e kërkuara nga anëtarët e komisionit.
Komisioni vendosi që të presë Agjencinë në një afat prej dy javësh për sjelljen e këtyre të dhënave për lapidarët në mënyrë që atëherë ta votojnë dhe përcjellin për seancë këtë raport.
Kryetari i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj tha se si Agjencion nuk kanë arritur të ofrojnë të dhënat e kërkuara për lapidarët pasi që nuk kanë hasur në bashkëpunim me kryetarët e komunave.
Sipas tij 50 përqind e punës ka përfunduar dhe se këto të dhëna janë duke i siguruara nga përfaqësuesit e fshatit.
Zogaj tha se brenda 10 ditëve do të jenë të përfunduara informacionet për ndërtimin e lapidarëve.
E lidhur me këtë zgjedhje për të arritur deri tek informacionet për lapidarët reagoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila tha se kjo nuk është zgjedhja e duhur dhe kërkoi nga Agjencioni që të këmbëngulin më shumë që të dhënat për lapidarët t’i marrin nga kryetarët e komunave të Kosovës.
Sipas saj të dhënat që mund të ofrohen nga përfaqësuesit e fshatrave mund të mos jenë të sakta.
I të njëjtit mendim me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu ishte edhe anëtari i komisionit për Bujqësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba i cili kërkoi edhe disa sqarime tjera lidhur pse nuk ka bordi organografi.
Derisa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri ka shfaqur dyshimet për keqpërdorimet apo korrupsionin për ndërtimin e lapidarëve.
Në këtë mbledhje të komisionit për Bujqësi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba ka kërkuar që të diskutohet për hidrocentralet dhe gurthyesit në Skenderaj, dhe bashkëpunimin me ministrinë e ambientin por një propozim i tillë nuk kaloi dhe u vendos që të ftohet ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe banorët ku ndodhen këto hidrocentrale dhe gurthyes dhe të diskutohet për gjendjen atje.
Po ashtu gjatë kësaj mbledhje anëtarët e këtij komisioni i kanë votuar edhe 24 amendamentet e projektligjit për produktet biocide, dhe 30 amandamentet e projektligjit për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.