28 dhjetor 2024 — ky është afati i vendosur nga BE që të gjithë iPhone-t të fillojnë të përdorin të njëjtin karikues si të gjithë telefonat e tjerë inteligjentë.
Një ligj i ri i BE-së hyn në fuqi të martën dhe kërkon që telefonat inteligjentë dhe pajisjet e tjera të vogla elektronike të kalojnë në karikimin USB-C brenda dy viteve, në një përpjekje për të reduktuar mbetjet elektronike dhe për të bërë jetën më të lehtë për konsumatorët.
Përveç telefonave inteligjentë, porta USB-C do të bëhet gjithashtu standarde për tabletët, kamerat dixhitale, kufjet, konzolat e lojërave në dorë, altoparlantët portativë, lexuesit elektronikë të librave, tastierat, minjtë, sistemet portative të navigimit dhe laptopët. Në të njëjtën kohë, vetëm laptopët kanë një afat pak më të gjatë për rregullim – deri më 28 prill 2026, shkruan Politico.
Është parashikuar që Komisioni mund të shtojë në listë edhe kategori të tjera pajisjesh me akte të deleguara duke filluar nga viti 2025 dhe më pas çdo pesë vjet.
Pavarësisht kundërshtimit të ashpër të mëparshëm nga Apple, Greg Joswiak , shefi i marketingut të kompanisë, tha në një konferencë të Wall Street Journal në tetor se ai do t’i bindet vendimit.
Mandati i BE-së për të kaluar në USB-C mund të jetë një fitore jetëshkurtër. Përkatësisht, industria e smartfonëve po shkon gjithnjë e më shumë drejt teknologjisë së karikimit pa tel, të cilën rregullat e BE-së aktualisht nuk e rregullojnë, transmeton Fol Drejt.