Numri i emigrantëve të parregullt që kanë mbërritur në Itali me rrugë detare që nga fillimi i vitit ka kaluar 20 mijë, sipas shifrave zyrtare, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
Të dhënat nga Ministria e Brendshme e Italisë treguan se 20,017 migrantë të parregullt erdhën në vend nëpërmjet Mesdheut nga 1 janari deri më 13 mars, krahasuar me 6,152 gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm nga data 9-11 mars, 4,566 persona mbërritën në mënyrë të parregullt përmes rrugëve të migrimit mesdhetar.
Në komentet për mediat italiane për këtë çështje, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto pretendoi se rritja e numrit të emigrantëve të parregullt që vijnë nga Afrika është pjesërisht për shkak të strategjisë ruse të “luftës hibride” të aplikuar përmes kompanisë ruse të sigurisë Wagner në vendet afrikane që mbështesin Ukrainën.
Për shkak të rritjes së ardhjeve të emigrantëve, kryeministrja Giorgia Meloni, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Antonio Tajani dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Matteo Salvini morën pjesë në një video-konferencë me Ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi dhe Ministrin e Mbrojtjes Crosetto për të vlerësuar situatën.
Sipas një raporti të gazetës La Repubblica mbi takimin, u diskutua për përdorimin e mjeteve të përshtatshme teknologjike të Marinës italiane për zbulimin e anijeve që transportojnë emigrantë të parregullt në zona jashtë ujërave territoriale dhe për të përmirësuar koordinimin në mbikëqyrjen në det. /FolDrejt/