Kryetari i agjencisë që po merret me mbledhjen e të dhënave për koronavirusin në Itali ka pranuar se shifra e vërtetë e të infektuarve mund të jetë dhjetë herë më e madhe se numri zyrtar prej 64 mijë njerëzve.
Angelo Borrelli tha se është e besueshme të thuhet se rreth 640 mijë njerëz mund të jenë infektuar, sepse vetëm një pjesë e tyre u janë nënshtruar testeve të nevojshme.
Testimi për këtë sëmundje shpesh është kufizuar vetëm te personat që kanë kërkuar kujdes spitalor, ndërsa organet e shëndetësisë kanë qenë në kufijtë e kapaciteteve për shkak të numrit të madh të pacientëve.
Sipas të dhënave më të reja, 6077 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Itali për një muaj, gati dyfish më shumë sesa në Kinë, shkruan “Daily Mail”
Borrelli tha se vështirësia më e madhe me të cilën po përballen institucionet është mungesa e maskave dhe respiratorëve në sektorët e kujdesit intenziv.
Italia po përpiqet të importojë pajisje të tilla nga vendet e tjera, por Borrelli tha se India, Rumania, Rusia dhe Turqia i kanë ndërprerë shitjet.
Numri më i madh i viktimave në Itali brenda një dite u shënua të shtunën me 793 të vdekur, ndërsa shifra për fat të mirë ka rënë në dy ditët e fundit me 651 raste të dielën dhe 601 të hënën.