Ministria palestineze e Shëndetësisë bën thirrje për një “korridor për të siguruar hyrjen e ndihmës urgjente mjekësore” në spitalet e Gazës, raporton Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
Bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës, kanë vazhduar gjatë natës, duke goditur ndërtesat e banimit.
Agjencia palestineze e shtypit Safa ka raportuar për bombardime artilerie në lindje të kampit të refugjatëve Bureij në Gazan qendrore.
Hamas, nga ana tjetër, ka kërcënuar të vrasë një peng izraelit sa herë që Izraeli bombardon një shtëpi palestineze pa paralajmërim, ndërsa Izraeli mobilizoi rreth 300,000 rezervistë dhe vendosi një bllokadë totale të Rripit të Gazës, duke ua mohuar miliona banorëve qasje në ushqim, ujë dhe karburant.
Luftimet e përgjakshme kanë shpërthyer që nga fundjava, qëkur Hamasi theu barrierat e mbrojtjes së shtetit të Izraelit.
Po sipas Al Jazeera-s, “numri i të vdekurve në Izrael nga sulmi i Hamasit shkon në 900”, ndërsa në palën palestineze, numri i të vdekurve ka shkuar mbi 700 “duke përfshirë 140 fëmijë, të vrarë nga sulmet izraelite”./FolDrejt/